Platforma “Liria ka Emër” e përshëndetë Deklaratën e miratuar sot nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për pafajësinë e ish-liderëve të UÇK-së.
Kështu thuhet përmes një njoftimi për media nga kjo platformë, ku ndër të tjera thuhet se: “Jemi mirënjohës për gatishmërinë e treguar nga Republika e Shqipërisë përmes kësaj deklarate për t’u angazhuar në marrjen e hapave të nevojshëm diplomatikë dhe politikë në forumet ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së të mos cenohet dhe drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë”.
Tutje në njoftim thuhet se në këtë deklaratë theksohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje legjitime dhe përfaqësuese e aspiratave të popullit të Kosovës për liri, dinjitet dhe vetëvendosje, në përputhje me parimet ndërkombëtare.
“Deklarata nënvizon se lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e regjimit serb dhe se kërkesa e Prokurorisë rrezikon shtrembërimin e historisë. Përmes kësaj deklarate, kërkohet nga Dhomat e Specializuara në Hagë, komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim bëhet e ditur se: “Platforma ‘Liria ka Emër’ falënderon të gjithë qytetarët, organizatat, grupet shoqërore dhe komunitetet në vend dhe përtej për mbështetjen dhe gatishmërinë për të ndihmuar kauzën tonë për drejtësi të paanshme”. /Telegrafi/