Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka pezulluar nga detyra një zyrtar korrektues, i cili dyshohet se ka tentuar të fusë kontrabandë brenda Qendrës Korrektuese të Dubravës.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është parandaluar sot pas informacioneve të pranuara nga institucionet e sigurisë. Gjatë një kontrolli të qëllimshëm në hyrje të institucionit, është ndaluar zyrtari korrektues me inicialet S.D., tek i cili janë gjetur të fshehura substanca të dyshuara narkotike, që dyshohet se kishte për qëllim t’i fuste brenda qendrës korrektuese.
Menjëherë pas zbulimit të rastit janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit. I dyshuari është arrestuar, ndërsa rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente të drejtësisë.
SHKK ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë. Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së dhe masa do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive të tilla negative dhe do të veprojë në përputhje me ligjin ndaj çdo individi të përfshirë, pa përjashtim”, thuhet në njoftim, duke theksuar se nuk do të tolerohet asnjë veprim që rrezikon sigurinë dhe integritetin e institucioneve korrektuese.