Mikel Arteta përballet me një verë vendimtare në krye të Arsenalit. Klubi londinez ka investuar fuqishëm në afatet e fundit kalimtare dhe tani duhet të balancojë financat përmes disa shitjeve të rëndësishme.
Drejtuesit sportivë të Arsenalit janë të vetëdijshëm se shpenzimet e verës së kaluar, që arritën afërsisht në 310 milionë euro, kërkojnë vendime të rëndësishme në afatin kalimtar.
Qëllimi është i qartë, të lirohet hapësirë në skuadër dhe të gjenerohen të ardhura për të vazhduar konkurrimin në nivelin më të lartë në Ligën Premier dhe në garat evropiane.
Në listën e lojtarëve që mund të largohen përfshihen disa emra të rëndësishëm të skuadrës, si Martin Odegaard, Gabriel Martinelli, Ben White, Ethan Nwaneri dhe Myles Lewis-Skelly.
Rastet e Martinellit dhe White lidhen kryesisht me arsye sportive. Të dy lojtarët kanë parë rolin e tyre të reduktohet në skuadër për shkak të paraqitjeve shumë të mira të disa bashkëlojtarëve.
Ndërkohë, situata mund të jetë ndryshe për talentet e rinj Nwaneri dhe Lewis-Skelly. Brenda klubit ekziston besim i madh për të ardhmen e tyre, ndaj opsioni më i mundshëm për të dy është një huazim i përkohshëm, me qëllim që të vazhdojnë zhvillimin si lojtarë.
Një nga rastet më të diskutuara te Arsenali është ai i kapitenit Martin Odegaard.
Mesfushori norvegjez ka kaluar një sezon jo të qëndrueshëm, i ndikuar nga lëndimet dhe konkurrenca e fortë në mesfushë. Kjo ka nxitur spekulime për të ardhmen e tij në Angli.
Megjithatë, trajneri Mikel Arteta vazhdon të ketë besim të plotë te mesfushori dhe e konsideron atë një pjesë kyçe të projektit të klubit për të ardhmen./Telegrafi/