Përmbytjet më të mëdha në 76 vitet e fundit kanë goditur Dubain, ndërsa shërbimi meteorologjik i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) ka paralajmëruar qytetarët për kushte ekstreme të motit.
“Për sigurinë tuaj, ju lutemi të tregoni kujdes, pasi në orët në vijim priten kushte të paqëndrueshme të motit, dhe të shmangni daljet jashtë, përveç rasteve kur janë absolutisht të domosdoshme,” njoftuan shërbimet meteorologjike.
Pritet që shiu në Dubai dhe Abu Dhabi të vazhdojë të bjerë edhe sot, ndërsa pamjet tregojnë gjendje kaotike në qytete.
Shumë fluturime në vend janë anuluar. Disa prej tyre përfshijnë fluturimet e Emirates për në Londër Gatwick, Heathrow dhe Frankfurt. Edhe shërbimet e FlyDubai janë anuluar. Linja ajrore IndiGo ka publikuar një njoftim ku thekson se është e mundur të ketë ndërprerje të fluturimeve.
“Parashikohet ndryshim i kushteve të motit në të gjithë EBA-në, me reshje të dendura shiu dhe stuhi. Duke pasur parasysh këtë situatë të ndryshueshme, është e mundur që gjatë ditës të ketë ndikime të herëpashershme në fluturime”, thuhet në njoftim.
Në Abu Dhabi janë mbyllur plazhet dhe parqet për shkak të reshjeve intensive. Fotografitë e realizuara në Dubai dhe Abu Dhabi tregojnë rrugë të përmbytura, si edhe një numër të madh automjetesh të mbetura të bllokuara.
Gjithashtu, Ministria e Brendshme e vendit u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të shmangin daljet jashtë, përveç rasteve kur kjo është absolutisht e domosdoshme. /Telegrafi/