Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që nga mandati i tij i parë kishte premtuar shtimin e autobusëve të rinj në kryeqytet.
Rama më 20 korrik 2023 kishte thënë se shumë shpejt Trafikut Urban do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrikë.
Një premtim tjetër për autobusë të rinj, Rama po ashtu e kishte bërë edhe më 22 maj 2024, duke thënë se Prishtina do të bëhet me flotë të re të autobusëve nga 1 janari 2025.
Megjithatë, ky premtim ende nuk është realizuar, duke nxitur reagime dhe kritika nga opozita në Kuvendin Komunal.
Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla, në një prononcim për Telegrafi, ka thënë se premtimi për autobusët është pjesë e një vargu zotimesh të pambajtura që nga fushata zgjedhore e vitit 2021, si dhe ajo e përsëritur e vitit 2025.
Foto: Ridvan Slivova
“Faktikisht edhe ky është një premtim në vazhdën e premtimeve të Ramës qysh në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2021, po ashtu në fushatën e përsëritur të vitit 2025”, ka thënë Sveçla.
Sipas tij, Rama ka dhënë disa data përgjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024 për arritjen e autobusëve të rinj, por asnjëra prej tyre nuk është përmbushur.
Sveçla theksoi se problemi lidhet me një marrëveshje financimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), e cila parashihte kredi për blerjen e autobusëve të rinj.
Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë disa kushte që duhej të plotësoheshin nga Komuna dhe ndërmarrja e Trafikut Urban për realizimin e kësaj kredie.
Një ndër kushtet siç tha ai ka qenë vendosja e sistemit të biletës elektronike.
Sipas Sveçlës, në vend që të niste procesi i ristrukturimit të brendshëm, përfshirë sistemimin e konduktorëve, ndërmarrja ka rritur numrin e tyre, duke thelluar, siç thotë ai, keqmenaxhimin e brendshëm.
Po ashtu, ai thekson se Komuna kishte obligim që t’i jepte Trafikut Urban tokë në shfrytëzim afatgjatë, përmes vendimit të Kuvendit Komunal, por sipas tij, një propozim i tillë nuk është sjellë asnjëherë nga kryetari Rama.
“Mirëpo, çfarë ka ndodhë trafiku urban në vend që ta fillon procesin e largimit ose të sistemimit diku tjetër të punëtorëve që e kryejnë këtë shërbim, në këtë rast konduktorëve ata e kanë rritë numrin e konduktorëve, do të thotë ka pasur keqmenaxhim brenda ndërmarrjes. Në anën tjetër, komuna e ka një obligim që trafikut urban t’ia japë tokë në shfrytëzim afatgjatë. Kjo bëhet përmes Kuvendit Komunal”, tha ai.
Si pasojë, Sveçla tha se kredia ka mbetur e parealizuar dhe qytetarët ende nuk kanë përfituar autobusë të rinj.
Sveçla ka kritikuar edhe veprimet e ndërmarra në fund të mandatit të kaluar, duke i cilësuar si improvizime bashkëpunimet me operatorë privatë.
Sipas tij, këto veprime kanë qenë një përpjekje për të kamufluar dështimin dhe kanë rezultuar me rritje të kostos operative, si për ndërmarrjen publike ashtu edhe për operatorët privatë.
Ai ka shtuar se gjendja në Trafikun Urban mbetet e rëndë, me paralajmërime për greva nga punëtorët dhe mungesë të veprimeve konkrete nga ekzekutivi komunal për përmirësimin e situatës.
“Ne jemi dëshmitarë që gjendja në trafikun urban është shumë e rëndë. Kemi pas paralajmërime punëtorëve për greva, ndërkohë që nuk ka veprime të Ramës dhe të ekzekutivit të Prishtinës, që kishin me e lehtsu këtë gjendje. Përkundrazi, gjatë fushatës zgjedhore, siç e mbajmë mend të gjithë, për efekte elektorale, Rama i liroi disa kategori nga pagesa e biletës. E në anën tjetër, nuk e ka shtuar numrin autobusëve. Kjo rezulton me një trafik urban të parregullt dhe me një komunikacion të rënduar në kryeqytet si rezultat i mos funksionimit të mirë dhe të planifikuar të transportit publik”, u shpreh Sveçla.
Sipas tij, lirimi i disa kategorive nga pagesa e biletës gjatë fushatës zgjedhore, pa shtuar numrin e autobusëve, ka përkeqësuar funksionimin e transportit publik dhe ka rënduar komunikacionin në kryeqytet.
“Në i kemi ngritur shqetësimet tona për këtë çështje dhe kemi kërkuar përgjegjësi nga Rama për datat që ai vetë i ka bërë publike për sjelljen e autobusëve. Fatkeqësisht, edhe në këtë rast nuk kemi marrë një përgjigje konkrete nga kryetari i kryeqytetit”, ka përfunduar Sveçla.
Ndryshe, Telegrafi i ka shkruar Zyrës për informim të Komunës së Prishtinës për të marr informacione se ku është procesi lidhur me flotën e re të autobusëve, por deri tani nuk ka marr përgjigje. /Telegrafi/