Sipas një raporti befasues të publikuar nga El Chiringuito TV, marrëdhënia mes sulmuesve të Real Madridit, Kylian Mbappe dhe Vinicius Junior, thuhet se është pothuajse inekzistente, duke shtuar edhe më shumë tensionet në një zhveshtore që po përballet me krizë të brendshme.
Raporti thekson se Mbappe beson se Vinicius ishte një nga arsyet kryesore që çuan në largimin e trajnerit Xabi Alonso, ndërsa rezultatet e skuadrës nisën të bien ndjeshëm pas largimit të teknikut spanjoll.
Sipas burimeve pranë klubit, sulmuesi francez ndihet i izoluar brenda ekipit dhe nuk ka raport të mirë as me trajnerin aktual, Alvaro Arbeloa.
Mbappe mendohet se është i pakënaqur me mënyrën se si po trajtohet nga Arbeloa, duke konsideruar se nuk po merr statusin e një ylli absolut në skuadër, ashtu siç priste pas transferimit të tij në Madrid.
Po ashtu, thuhet se rrethi i afërt i Mbappes beson se Vinicius po përpiqet ta paraqesë francezin si “fajtorin” kryesor të krizës së fundit te Real Madridi, duke krijuar ndasi edhe më të mëdha në dhomat e zhveshjes.
Situata ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi harmoninë brenda klubit madrilen, sidomos duke marrë parasysh pritshmëritë e mëdha që shoqëruan ardhjen e Mbappes në “Santiago Bernabeu”.
Bashkëpunimi mes dy yjeve të repartit ofensiv pritej të ishte arma kryesore e Real Madridit për sezonet e ardhshme, por raportimet e fundit sugjerojnë se tensionet personale mund të jenë duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në paraqitjet në fushë.
Deri më tani, klubi nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj këtyre pretendimeve, ndërsa mbetet të shihet nëse situata do të qetësohet apo do të thellohet edhe më shumë në javët në vijim. /Telegrafi/