Ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe numërimit të 27,600 pakove me fletëvotime, të cilat kanë ardhur nga dy kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Berlin dhe Bernë.
Sipas rezultateve përfundimtare nga ky proces, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para, duke siguruar 72.20 për qind, përkatësisht 19,344 vota.
Rezultatet e partive të tjera janë si në vijim:
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) – 10.15% ose 2,720 vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) – 9.56% ose 2,560 vota
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – 3.90% ose 1,045 vota
Procesi i numërimit të këtyre fletëvotimeve kishte nisur të shtunën, më 3 janar 2026, në ora 16:00, dhe ka përfunduar gjatë ditës së sotme, më 5 janar 2026.
Ndërsa sot KQZ ka tërhequr edhe rreth 20 mijë pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora.
Në total, rreth 58 mijë shtetas të Kosovës ishin regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025./Telegrafi/