Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, Elisa Spiropali, ka reaguar e prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të Elisabeta Katiajt dhe Eorda Sinollarit pas një aksidenti në Kosovë.
Ajo ka deklaruar se të dyja ato ishin gra plot dritë dhe energji që ia kushtuan kohën dhe talentin Shqipërisë dhe diasporës shqiptare.
Për shkak të kësaj ngjarje, Spiropali ka njoftuar se në nderim të figurës dhe kontributit të Katiajt është shtyrë për një kohë tjetër Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë.
“Elisabeta, një forcë e vërtetë e komunitetit të biznesit, dhe Eorda, një profesioniste e re, e cila sillte dije dhe frymë të re përmes Programit Brain Gain të GIZ-it. Me Elisabetën, pas pak ditësh, do të ishim së bashku në Parma, në Samitin e 6-të të Gruas në Diasporë, por fatkeqësisht largimi i saj i beftë dhe i parakohshëm nuk na e la këtë mundësi. Në shenjë nderimi dhe respekti për figurën dhe kontributin e Elisabetës, Samiti i 6-të i Gruas në Diasporë do të shtyhet për një kohë tjetër. Në këtë moment të thellë dhimbjeje, shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera dhe jam pranë fëmijëve në moshë të njomë, familjarëve, miqve dhe të gjithë atyre që i njohën dhe i çmuan”, njoftoi ajo.
Kujtojmë se Katiaj ishte drejtuese e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare.
Elisabeta Katiaj dhe Eorda Sinollari humbën jetën pasi u përplasën me një kamion në Prizren.
Shkak për aksidentin u bë mjegulla e dendur dhe mungesa e sinjalistikës së nevojshme për devijimin e bërë në rrugë.