Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për mekanizmin e reagimit të krizave të furnizimit dhe çmimit të lëndëve djegëse”, duke kërkuar kalimin e tij me procedurë të përshpejtuar.
Bozdo theksoi se Shqipëria ka nevojë për ndërhyrje ligjore për uljen e taksave që ndikojnë drejtpërdrejt në çmimin e naftës, duke shtuar se aktualisht vendi nuk ka rezerva dhe qytetarët paguajnë çmimet më të larta në rajon, krahasuar me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, projektligji është i përafruar me mekanizmat dhe direktivat e Bashkimit Evropian dhe synon krijimin e një sistemi ligjor që mbron qytetarët në raste krizash.
“Çfarë na ofron qeveria shqiptare sot? Bordin e Transparencës që vetëm vrojton rritjen. Ndërsa mekanizmi ynë është ligji që mbron qytetarët”, u shpreh Bozdo.
Ai shpjegoi se projektligji parashikon mundësinë e ndërhyrjes së qeverisë në raste emergjente, përfshirë uljen e taksave që rëndojnë mbi çmimin e naftës, si taksa e qarkullimit dhe ajo e karbonit. Sipas tij, eliminimi i këtyre taksave do të sillte ulje të ndjeshme të çmimit, duke e afruar me nivelet e vendeve të rajonit, të cilat e tregtojnë naftën 30-40% më lirë.
Bozdo kërkoi miratimin urgjent të projektligjit, duke argumentuar se deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për të përballuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
“Ky ligj jo vetëm që mundëson uljen e taksave, por krijon edhe një mekanizëm transparent për menaxhimin e rezervave të sigurisë sipas standardeve evropiane”, tha ai.
Në përfundim, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Bozdos për shqyrtimin e projektligjit me procedurë të përshpejtuar, me 77 vota kundër./RTSH