Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim deputetin shqiptar nga Lugina e Preshevës, Shaip Kamberi, dhe kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, së bashku me një delegacion përfaqësues nga Lugina.
Gjatë takimit, palët diskutuan për mbështetjen institucionale të vazhdueshme për Luginën e Preshevës në fusha si arsimi, kultura dhe zhvillimi institucional, me theks të veçantë te përkrahja për studentët dhe specializantët.
Ndër çështjet kryesore të ngritura ishin pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, gjuha e urrejtjes dhe pengimi i qasjes në fonde, të cilat vazhdojnë të jenë shqetësime serioze për komunitetin shqiptar në Luginë.
Në përfundim, palët u dakorduan për vazhdimin e angazhimit institucional, me qëllim adresimin e këtyre sfidave dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Vazhdojmë bashkëpunimin me institucionet lokale dhe deputetët e Luginës për të siguruar që shqetësimet e komunitetit të trajtohen në mënyrë konkrete dhe të qëndrueshme,” tha Haxhiu gjatë takimit. /Telegrafi/