Drejtori i ri i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini, ka reaguar ndaj diskutimeve publike lidhur me ndryshimet në orarin mësimor në shkollat e kryeqytetit, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë shkurtim të orëve të mësimit.
Sipas tij, ora mësimore mbetet 45 minuta dhe programi arsimor nuk është prekur.
“Asnjë orë nuk është hequr. Ndryshimi lidhet vetëm me organizimin e fillimit dhe përfundimit të procesit mësimor gjatë ditës”, ka sqaruar Shahini, duke e cilësuar vendimin si një lehtësim të përkohshëm administrativ, e jo reduktim të mësimit.
Ai ka bërë të ditur se vendimi është marrë pas kërkesave të shumta nga drejtorë shkollash, mësimdhënës, prindër dhe nxënës, të cilët kanë raportuar vështirësi në organizimin e marrjes së fëmijëve, veçanërisht në orët e fundit të ditës.
“Institucioni ka për detyrë të tregojë fleksibilitet dhe ndjeshmëri për të garantuar mbarëvajtjen e procesit mësimor dhe mirëqenien e nxënësve”.
Shahini ka theksuar gjithashtu se ky riorganizim nuk cenon karakterin laik të institucioneve arsimore.
“Në shkollat publike nuk ka simbole fetare, nuk ka predikime fetare dhe procesi mësimor zhvillohet mbi baza profesionale dhe laike”, ka deklaruar ai, duke shtuar se vendimi nuk prek në asnjë formë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas tij, laiciteti nënkupton neutralitet dhe barazi për të gjithë, por jo mungesë ndjeshmërie ndaj realitetit shoqëror.
Tutje ka theksuar se askush nuk detyrohet të agjërojë, nuk ndryshohet përmbajtja mësimore dhe nuk institucionalizohet feja, pasi bëhet fjalë vetëm për një rregullim praktik të orarit.
Në fund, drejtori i Arsimit ka bërë thirrje për qetësi dhe racionalitet në trajtimin e çështjes, duke kërkuar që vendimi të mos keqinterpretohet.
“Qëllimi i institucionit është ruajtja e funksionimit normal të procesit edukativo-arsimor dhe mirëqenia e komunitetit shkollor”./Telegrafi.