Mesfushori i Sllovakisë, Tomas Suslov, është rikthyer në fushë gjashtë muaj pas një dëmtimi të rëndë, duke shënuar paraqitjen e tij të parë këtë sezon me fanellën e Hellas Verona në minutën e 82-të të ndeshjes kundër Sassuolo në Serie A.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë (SFZ), 23-vjeçari foli për rikthimin e tij dhe për rolin që dëshiron të ketë në ndeshjet e “play-offit” për kualifikimin në Botërorin 2026.
Suslov pësoi një këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior gjatë një stërvitjeje në gusht të vitit të kaluar dhe kaloi muaj të gjatë rikuperimi. Ai tregoi emocionet e rikthimit.
“Ndjenjat ishin pak të përziera, sepse ndeshja ishte praktikisht e vendosur. Megjithatë, isha shumë i lumtur që pas një kohe të gjatë u riktheva aty ku ndihem më mirë”, deklaroi Suslov.
Mesfushori ka ndjekur me vëmendje paraqitjet e bashkëlojtarëve të tij në kualifikimet për Kampionatin Botëror dhe shpreh optimizëm për përballjet e ardhshme. Suslov po punon intensivisht për t’u përgatitur për “play-offin”.
“I kam mbështetur shumë djemtë, kam qenë në çdo ndeshje në shtëpi dhe mendoj se kanë bërë një punë të shkëlqyer. E arritëm objektivin tonë dhe besoj fort se në mars do të luajmë dy ndeshje të mëdha dhe do ta gëzojmë Sllovakinë”.
“Po bëj gjithçka që të jem i gatshëm dhe të ndihmoj ekipin. Nëse gjithçka shkon sipas planit, besoj se do të kontribuoj”, shtoi ai.
Ndeshja e fundit që ai zhvilloi me Sllovakinë ishte më 23 mars 2025 kundër Sllovenisë në Ligën e Kombeve. Pas një viti, ai mund të rikthehet në fushë më 26 mars, kur Sllovakia do të përballet me Kosovën në gjysmëfinalen e “play-offit”.
“Kosova do të jetë shumë agresive. Lojtarët e saj kanë mentalitet të fortë dhe për ta është një mundësi unike për t’u kualifikuar në Botëror. Prandaj pres një ndeshje shumë të fortë dhe të ngushtë, ku detajet do të bëjnë diferencën”, nënvizoi mesfushori sllovak.
Fituesi i kësaj sfide do të luajë në finale kundër Turqisë ose Rumani, duke mbajtur gjallë shpresën për një vend në Kampionatin Botërorin 2026. /Telegrafi/