Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar Gjakovën pas vërshimeve të ditëve të fundit, ku ka shprehur solidaritet me qytetarët dhe ka vlerësuar angazhimin institucional për menaxhimin e situatës.
“Sot ishim këtu së bashku me ekipin tonë për të shprehur solidaritetin me të gjithë qytetarët e Gjakovës, me komunën e Gjakovës, për shkak të dëmeve të krijuara nga vërshimet e djeshme. Fatmirësisht, ato pak a shumë janë ndalur dhe po shpresojmë që nuk nuk do të ketë dëme të mëtejme, por dua t’i falenderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar pa ndalë, nga kryetari i komunës dhe të gjitha institucionet lokale tek institucionet qendrore, agjencitë e emergjencave, organet e rendit dhe secilin qytetar që ka treguar solidaritet në mënyrë që kjo gjendje të tejkalohet më me lehtësi”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ka familje të prekura nga kjo situatë dhe se institucionet do të jenë pranë tyre.
“Natyrisht që ka familje të prekura nga kjo situatë, vendbanimet e të cilëve janë dëmtuar. Do të punojmë bashkarisht që kjo të tejkalohet dhe të jemi pranë tyre në përballjen me këtë situatë. Kryetari Gjini na njoftoi për të gjitha masat që janë ndërmarrë e po ashtu për planet që do të hartohen në vazhdimësi sa i përket kalkulimit dhe kompenzimit të dëmeve dhe po ashtu çështjeve të tjera. Do të jemi aty për të bashkëpunuar sepse çdo sfidë është e tejkalueshme atëherë kur punojmë bashkë”, theksoi Osmani.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, e cilësoi vizitën e presidentes si të rëndësishme dhe bëri të ditur se situata është drejt stabilizimit.
Gjini: Po duket që situata ka me qenë më mirë
“Është vizitë e rëndësishme. E kemi kaluar një dy-tri ditë goxha të zorshme, po sot është e vërtetë që niveli i ujërave ka rënë edhe nuk po shihet që do të kemi rritje ose rritje të problemit në ditët që vijnë. Po duket që situata ka me qenë më mirë”, tha Gjini.
Ai njoftoi se gjatë vërshimeve ka pasur edhe evakuime të qytetarëve.
“Po, kemi pasur disa evakuime, i kemi vendosur në objektet tona të banimit social. Ka familjarë të cilët i kanë marrë të afërmit e vet nëpër shtëpitë e tyre. Jemi kujdesur deri sot për ushqim, një pjesë edhe për veshmbathje”, u shpreh ai.
Gjini shtoi se ekipet komunale janë duke punuar në sanimin e dëmeve dhe pastrimin e zonave të prekura. “Jemi duke i sanuar dëmet aty ku mundemi, duke i pastruar rrugët prej shembjeve ose prej vërshimeve ose prej mbeturinave fatkeqësisht që kanë sjellë dëme të shumta, fatkeqësisht duhet me thënë”, tha ai.
Sipas tij, nga dita e nesërme do të nisë procesi zyrtar i vlerësimit të dëmeve.