Presidentja e vendit, Vjosa Osmani pasi fjalës së saj në konferëncën “Java e Gruas”, para mediave tregoi se nuk e ka dekretuar anëtarin e dytë të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) pasi partitë politike i kanë propozuar më shumë anëtarë sesa që i parasheh Kushtetuta.
Ajo tha se LVV-ja dërgoi tre emra në Presidencë, PDK dy, kurse partitë e tjera parlamentare nga një.
Osmani theksoi se kjo ishte arsyeja pse për këtë çështje iu drejtua Gjykatës më të lartë në vend, pasi kishte dilema për dekretimin e një anëtari, për të cilin, sipas saj, kanë pretendime LVV edhe PDK.
“Për shkak se janë kërkuar tre nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa lejohen vetëm dy, dhe janë kërkuar dy nga PDK dhe është emëruar vetëm një. Për shkak se ka më shumë propozime sesa i lejon Kushtetuta. Meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese dhe kam kërkuar të sqarohet tani. Ky rast është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore dhe jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga presidenti Thaçi apo nga ana ime. Kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president dhe në momentin që sqarohet do të vijohet tutje”, tha ajo.
Sipas saj, rasti i dërguar në Kushtetuese është i referuar nenit 113 të Kushtetutës, ndryshe prej rasteve nga e kaluara, kur kishte dilema të këtilla.
Osmani tha se Gjykata Kushtetuese duhet të dalë me një verdikt për të sqaruar këtë çështje.
“Tani e kemi ngritur rastin mbi një bazë tjetër kushtetuese, nenin 113. Shpresoj që Gjykata do të japë përgjigjen. Nuk është se vetëm një anëtar i PDK nuk është emëruar, edhe një i LVV nuk është emëruar”, shtoi Osmani. /Telegrafi/