Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutuan zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe procesi i themelimit të institucioneve të reja, për të cilin Osmani ka shprehur pritjen që formimi të ndodhë sa më shpejt. Ajo ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme u zhvilluan sipas standardeve më të larta demokratike dhe ka theksuar rëndësinë e funksionimit të shpejtë të institucioneve të reja.
Po ashtu, gjatë takimit u trajtua edhe iniciativa e Presidentes për lidhjen e marrëveshjeve strategjike me Mbretërinë e Bashkuar në fushat e interesit të përbashkët, përfshirë mbrojtjen, sigurinë, ekonominë dhe tregtinë.
Presidenca thekson se këto marrëveshje ishin diskutuar edhe gjatë vizitës së Sekretarit të Jashtëm britanik në Kosovë në prill të vitit të kaluar.
Takimi nënvizon përpjekjet e Kosovës për forcimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimin e procesit demokratik në vend.