Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar pamje nga takimi në kuadër të Bordit të Paqes që u mbajt të enjten në Uashington.
Në videon e publikuar nga Rama, kryeministri shqiptar dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shihen teksa bisedojnë me presidentin amerikan, Donald Trump.
“Mirëmëngjesi dhe me këtë video-kartolinë të takimit të Bordit të Paqes, ku mund të gjeni versionin origjinal të fjalës në emër të Shqipërisë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Ndërkaq, të enjten presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova ka ndier peshën e garancisë amerikane dhe ka falënderuar për këtë presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
“Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane! Faleminderit, President Trump!”, shkroi Osmani në rrjetin social Facebook.
Në një mbledhje të Bordit të Paqes, ku u diskutua parandalimi i konflikteve në botë, Trump i është drejtuar Osmani duke thënë se në rast të problemeve me Serbinë, SHBA-ja do të ndërhyjë për t’i zgjidhur ato. /Telegrafi/