Real Madridi ka nisur një operacion të rëndësishëm për të siguruar shërbimet e Enzo Fernandez gjatë verës, me synimin për të forcuar mesfushën.
Drejtuesit e klubit madrilen e shohin kampionin e botës si profil ideal për të freskuar “zonën e motorëve”, por përballen me vështirësi të mëdha financiare.
Chelsea ka vendosur një çmim prej rreth 120 milionë eurosh për yllin e saj, shifër që aktualisht konsiderohet shumë e lartë.
Kjo situatë e detyron Realin të eksplorojë alternativa kreative në negociata.
Duke qenë se planifikimi sportiv përfshin edhe afrimin e një mbrojtësi qendror të nivelit të lartë, buxheti për mesfushën është i kufizuar.
Për këtë arsye, në Valdebebas po shqyrtohet mundësia e përfshirjes së Eduardo Camavinga si pjesë e marrëveshjes.
Propozimi jozyrtar që ka qarkulluar në Londër përfshin mesfushorin francez plus rreth 60 milionë euro.
Kjo formulë synon të ulë ndjeshëm shumën që duhet të paguajë klubi spanjoll.
Real Madridi vlerëson se zhvillimi i Camavingas nuk ka përmbushur plotësisht pritshmëritë e krijuara në “Santiago Bernabeu”.
Edhe pse ka treguar cilësi dhe potencial të lartë, mungesa e vazhdimësisë ka qenë një problem i dukshëm.
Për këtë arsye, klubi e sheh atë si një kartë të vlefshme negociuese për të realizuar transferimin e dëshiruar.
Megjithatë, nga ana e Chelseat, perceptimi për këtë shkëmbim është krejtësisht ndryshe.
Drejtuesit e klubit londinez e konsiderojnë ofertën aktuale të pamjaftueshme dhe nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga lojtari i tyre kyç pa një përfitim të madh financiar.
Ata kërkojnë një rritje të ndjeshme të shumës dhe nuk e shohin Camavingan si prioritet.
Ndërkohë, Enzo Fernandez thuhet se ka shprehur dëshirën për të veshur fanellën e Real Madridit, i tërhequr nga projekti sportiv dhe historia e klubit.
Presioni i mundshëm nga lojtari mund të jetë faktor vendimtar për të zhbllokuar një situatë që për momentin mbetet e ngrirë. /Telegrafi/