Ish-mesfushori i Chelsea, John Obi Mikel, ka bërë thirrje për përforcime në repartin sulmues të klubit londinez, duke sugjeruar nënshkrimin e sulmuesit Victor Osimhen, aktualisht te Galatasaray.
Pavarësisht investimeve të mëdha verore 90 milionë funte për Joao Pedro dhe Liam Delap, dyshja sulmuese e Chelseat ka shënuar vetëm 11 gola në paraqitje në Ligën Premier, duke evidentuar nevojën për një sulmues me përvojë dhe aftësi për të ndryshuar lojën.
Obi Mikel beson se Osimhen mund të sjellë këtë cilësi te londinezët.
“Victor Osimhen. Ai mund ta zgjasë lojën, mund të vrapojë nga mbrapa, mund të shënojë gola, mund të bëjë gjithçka”, tha ai.
“Ke nevojë për atë sulmues me përvojë që ka qenë atje, e ka bërë, di si të fitojë ndeshje të mëdha, di si të shënojë në ndeshje të mëdha, di si të jetë në vendin e duhur në kohën e duhur”, shtoi ish-kapiteni i Chelseat.
Rekomandimi i Mikel vjen në një moment kur Chelsea po kërkon mënyra për të rritur efektivitetin e sulmit dhe për të konkurruar në nivel të lartë në Ligën Premier dhe garat evropiane. /Telegrafi/