Faqja zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Xhudos i ka kushtuar një tjetër shkrim kampiones kosovare Distria Krasniqi, pas triumfit të saj në Grand Slamin e Parisit.
Xhudistja 30-vjeçare ka theksuar se nuk e sheh ende fundin e karrierës së saj, duke vënë në pah gjendjen e mirë fizike dhe mungesën e lëndimeve serioze gjatë gjithë rrugëtimit sportiv.
“Stërvitjet e mira më mbajnë në formë. Jam po ashtu me fat pasi nuk kam pasur asnjë operacion. Ushtroj shumë dhe kam rezultate të mëdha. Dhe të mos kem asnjë lëndim serioz gjatë këtij rrugëtimi, është shumë e rrallë. Jam mirënjohëse për këtë dhe kjo natyrisht se ka shumë ndikim në atë që jam në gjendje të vazhdoj”, ka thënë Krasniqi.
Synimi i radhës për Distrinë janë Lojërat Olimpike ‘Los Angeles 2028’, ndërsa ka bërë të ditur se vetëm pas këtij edicioni mund të mendojë për tërheqjen nga sporti elitar. Deri atëherë, ajo po e shijon çdo garë dhe çdo kamp stërvitor, duke synuar të nxjerrë maksimumin nga dy-tre vitet e fundit në nivelin më të lartë të xhudos botërore.
Në karrierën e saj të pasur, Distria ka fituar pothuajse çdo medalje të mundshme, me përjashtim të titullit të kampiones së botës.
“Është një prej synimeve që të jem kampione e botës. Por nuk është synimi kryesor. Edhe nëse nuk do të bëhem asnjëherë kampione e botës, nuk është se do të jetë diçka e keqe. E kam fituar titullin te junioret, ndërsa titulli më i vlefshëm është ai olimpik”.
Një tjetër objektiv personal për të është edhe një fitore ndaj japonezes Uta Abe, ndonëse ajo thekson se nuk e ka këtë si fokus kryesor.
Distria thekson se në ditën e saj më të mirë është e aftë të mposhtë çdo kundërshtare, duke e konsideruar veten si sfidën më të madhe në arenën ndërkombëtare.
Sukseset e deritashme, kampionia kosovare i atribuon në masë të madhe bashkëpunimit afatgjatë dhe të veçantë me trajnerin Driton Kuka.
“Ekipi i trajnerëve ka ndikim shumë të madh. Jemi vend i vogël dhe në fillim nuk i kishim ato që të gjitha vendet e mëdha i kishin. Por kemi provuar të bëjmë rezultate me gjërat që kishim dhe ishte e vështirë. Tani është më mirë dhe vazhdojmë të kemi rezultate. Trajneri është pjesë e madhe e gjithë kësaj”.
“Që kur kam nisur me xhudo e kam trajnerin e njëjtë. Raporti është më shumë si në familje se si i një sportisti e trajneri. Ndoshta kaloi më shumë kohë me të se me familjen”.
Në fund, Distria ka zbuluar edhe “sekretin” e suksesit të saj: disiplinën, vazhdimësinë dhe punën e palodhur.
“Puna e madhe gjithnjë shpërblehet”, përfundon kampionia e xhudos. /Telegrafi/