Arsenal dhe Chelsea barazuan 0-0 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Carabao Cup, të zhvilluar në një atmosferë të tensionuar dhe me shumë duele fizike, por ishin “Topçinjtë” ata që festuan në fund, falë fitores 3-2 nga ndeshja e parë, duke kaluar kështu në finale.
Takimi nisi me kujdes nga të dyja skuadrat, me Arsenalin që administroi avantazhin e krijuar në përballjen e parë, ndërsa Chelsea kërkoi hapësira për të rihapur kualifikimin.
Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në minutën e 18-të, kur Piero Hincapié provoi nga distanca, por portieri Robert Sánchez reagoi sigurt.
Pjesa e dytë solli më shumë intensitet dhe ndërhyrje të ashpra. Momenti më i diskutueshëm i ndeshjes erdhi në minutën e 84-të, kur Gabriel Martinelli u rrëzua në zonë pas një kontakti me mbrojtjen e Chelseat.
Fillimisht gjyqtari nuk sinjalizoi penallti, ndërsa pas rishikimit me VAR, vendimi i tij u konfirmua, duke shkaktuar reagime në tribuna.
Të dy trajnerët tentuan të ndryshojnë rrjedhën e lojës me zëvendësime, por rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale.
Barazimi pa gola i mjaftoi Arsenalit për të siguruar kalimin tutje, ndërsa Chelsea mbetet jashtë finales, pavarësisht përpjekjeve në ndeshjen e kthimit.
Arsenal tani pret në finale fituesin e ndeshjes Newcastle – Man City, me qytetarët që janë më të avantazhuar fal fitore 2-0 në ndeshjen e parë. /Telegrafi/