Ndërmarrja Publike Lokale e Mbeturinave “Ambienti” Sh.A. në Pejë u ka bërë thirrje qytetarëve që të kryejnë pagesën e detyrimeve për shërbimin e grumbullimit të mbeturinave deri më 20 mars, në mënyrë që të shmangin ndëshkimet dhe shpenzimet shtesë.
Nga kjo ndërmarrje është theksuar se përmbushja me kohë e obligimeve financiare ndikon drejtpërdrejt në funksionimin më të mirë të shërbimeve dhe në mirëmbajtjen e një ambienti më të pastër.
“Ju ftojmë që obligimet tuaja t’i përmbushni me kohë, duke kontribuar në funksionimin më të mirë të shërbimeve dhe në mbajtjen e një ambienti më të pastër për të gjithë”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
Po ashtu, NPL “Ambienti” ka paralajmëruar se pas datës 20 mars, faturat e papaguara do të procedohen përmes përmbaruesit privat, gjë që mund të sjellë detyrime financiare shtesë dhe pasoja ligjore për qytetarët.
“Pas datës 20 mars, faturat e papaguara do të procedohen përmes përmbaruesit privat, gjë që mund të sjellë detyrime financiare shtesë dhe pasoja ligjore”, thuhet më tej në njoftim.
Qytetarët mund të kryejnë pagesat përmes inkasantëve në terren ose në zyrat e ndërmarrjes në disa lokacione në Pejë, përfshirë zyrën te Qarshia e Xhamisë, në objektin e Komunës, në Transit në Fushë të Pejës dhe në Vitomiricë pranë Shtëpisë së Kulturës. /Telegrafi/