Një person ka vdekur dhe 300 shtëpi dhe ndërtesa janë shkatërruar në zjarret në shkurre që kanë përfshirë Australinë juglindore.
Zjarret kanë shpërthyer në dhjetëra vende në të gjithë vendin për disa ditë, kryesisht në shtetin e Viktorias, por edhe në Uellsin e Ri Jugor, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në Viktoria është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, ndërsa mijëra zjarrfikës dhe më shumë se 70 aeroplanë luftuan me flakët.
Banorët në më shumë se një duzinë komunitetesh janë këshilluar të largohen nga shtëpitë e tyre.
Autoritetet kanë frikë se flakët, të cilat po nxiten nga kushtet shumë të nxehta, të thata dhe me erë, mund të vazhdojnë për disa javë.
Kryeministrja e Viktorias, Jacinta Allan, bëri të ditur se 30 zjarre aktive po ndodhin në të gjithë shtetin, dhjetë prej të cilave ishin një shqetësim i veçantë.
Ajo tha se 350,000 hektarë ishin djegur në të gjithë shtetin.
Mbetje njerëzore u gjetën në fshatin Gobur, pranë qytetit Longwood, rreth 110 km në veri të kryeqytetit të shtetit Melbourne, tha policia.
Viktima nuk është identifikuar ende.
Autoritetet thanë se zjarret ishin më të këqijat që kanë goditur juglindjen e Australisë që nga zjarret e viteve 2019-2020 që shkatërruan një zonë me madhësinë e Turqisë dhe vranë 33 persona. /Telegrafi/