Studiuesit thonë se inteligjenca artificiale mund të përdorë regjistrimet e trurit nga një natë e vetme në laboratorin e gjumit për të parashikuar rrezikun e një personi për zhvillimin e më shumë se 100 gjendjeve shëndetësore
Modeli i inteligjencës artificiale, i njohur si SleepFM, është trajnuar me mbi gjysmë milioni orë të dhënash të gjumit, të mbledhura përmes polisomnografisë nga rreth 65.000 pjesëmarrës.
Polisomnografia konsiderohet standardi i artë për vlerësimin e gjumit gjatë natës. Ajo përdor sensorë të ndryshëm për të regjistruar aktivitetin e trurit, aktivitetin e zemrës, sinjalet e frymëmarrjes, lëvizjet e trupit, lëvizjet e syve dhe të dhëna të tjera fiziologjike.
Sipas studiuesve, kjo përbën një “minierë ari të pashfrytëzuar të të dhënave fiziologjike”.
“Ne regjistrojmë një numër të jashtëzakonshëm sinjalesh kur studiojmë gjumin”, ka thënë në një njoftim udhëheqësi i studimit, dr. Emanuel Mignot nga Stanford University School of Medicine, transmeton Telegrafi.
Për të shfrytëzuar potencialin e këtyre të dhënave, studiuesit ndërtuan një model të inteligjencës artificiale dhe e trajnuan atë me 585.000 orë të dhënash polisomnografike nga pacientë, gjumi i të cilëve ishte vlerësuar në klinika të ndryshme të gjumit.
Fillimisht, modeli u testua në detyra standarde të analizës së gjumit, si klasifikimi i fazave të ndryshme të gjumit dhe diagnostikimi i ashpërsisë së apnesë së gjumit. SleepFM rezultoi po aq i saktë, madje në disa raste edhe më i mirë, se modelet më të avancuara që përdoren aktualisht.
Nga më shumë se 1.000 kategori sëmundjesh të analizuara, modeli identifikoi 130 gjendje që mund të parashikohen me saktësi të arsyeshme vetëm nga të dhënat e gjumit të pacientit.
Më pas, studiuesit krahasuan të dhënat e polisomnografisë së 35.000 të rriturve dhe fëmijëve të trajtuar në Qendrën e Mjekësisë së Gjumit në Stanford ndërmjet viteve 1999 dhe 2024, me rezultatet afatgjata shëndetësore të të njëjtëve pjesëmarrës, duke përdorur kartelat e tyre elektronike shëndetësore.
Ndër sëmundjet që modeli arriti të parashikojë përfshihen vdekshmëria nga të gjitha shkaqet, demenca, infarkti i zemrës, insuficienca kardiake, sëmundja kronike e veshkave, goditja në tru dhe fibrilacioni atrial.
Për disa lloje kanceri, komplikime gjatë shtatzënisë, probleme të qarkullimit të gjakut dhe çrregullime mendore, parashikimet e modelit të inteligjencës artificiale ishin të sakta në më shumë se 80% të rasteve, sipas një raportimi të publikuar në Nature Medicine.
Megjithatë, studiuesit ende nuk e kuptojnë plotësisht se cilat sinjale konkrete i analizon SleepFM kur bën parashikimin e një sëmundjeje të caktuar. Ata po punojnë për ta sqaruar këtë, si dhe për të përmirësuar më tej saktësinë e modelit, ndoshta duke shtuar edhe të dhëna nga pajisjet e veshshme për monitorimin e shëndetit. /Telegrafi/