Kanë nisur punimet për sanimin e urës në fshatin Vaganicë të Komunës së Mitrovicës, e cila kishte pësuar dëme të konsiderueshme si pasojë e vërshimeve të fundit të shkaktuara nga lumi Lushta.
Sipas njoftimit të Komunës së Mitrovicës, kryetari Faton Peci, së bashku me Drejtorin për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Mujën, kanë vizituar punimet që po zhvillohen në këtë urë, për të parë nga afër progresin e ndërhyrjeve.
Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë ka ndërmarrë veprime të menjëhershme për sanimin e dëmeve, me qëllim parandalimin e dëmeve të mëtejshme dhe garantimin e sigurisë në qarkullimin e qytetarëve.
Komuna ka bërë të ditur se ndërhyrjet janë pjesë e masave emergjente pas vërshimeve dhe se do të vazhdojë monitorimin e situatës në terren për të siguruar funksionalitetin e plotë të infrastrukturës në zonat e prekura. /Telegrafi/