E quajtur “nektar bionde”, kjo nuancë e butë dhe e ngrohtë po bëhet zgjedhja kryesore në sallonet e bukurisë, sepse kombinon elegancën me mirëmbajtje më të lehtë
Një nga trendet më të forta të kësaj pranvere në botën e bukurisë është rikthimi i nuancave më të çelëta të flokëve. Sipas stilistëve, dimri ishte qartazi sezoni i bruneve, por me ardhjen e pranverës, në fokus janë rikthyer tonet më të buta dhe më të ndritshme.
Një nga ngjyrat që ka tërhequr më shumë vëmendje është e ashtuquajtura “nektar bionde”, e përshkruar nga Allure si një nuancë kremoze që krijon ekuilibrin perfekt mes toneve platin dhe atyre të ngrohta. Pikërisht ky kombinim e bën këtë ngjyrë më natyrale dhe më të lehtë për t’u mirëmbajtur krahasuar me biondet klasike shumë të ftohta.
Ekspertët theksojnë se “nektar bionde” jep një efekt luksoz dhe të ngrohtë në pamje. Sekreti qëndron te baza që anon nga tonet e arta, ndërsa fijet janë të buta, kremoze dhe të vendosura në shtresa që theksojnë dhe kornizojnë fytyrën, transmeton Telegrafi.
Për të arritur këtë rezultat në sallon, rekomandohet të kërkohet një bazë bezhë ose bionde e artë, e kombinuar me fije pak më të trasha se zakonisht.
Sipas specialistëve të cituar nga Allure, kjo nuancë i shkon më shumë personave me ngjyrë natyrale më të çelët të flokëve. Te tonet më të errëta ekziston rreziku që gjatë zbardhjes të shfaqen nuanca portokalli, të cilat janë më të vështira për t’u neutralizuar.
Një tjetër arsye pse kjo ngjyrë po bëhet kaq popullore është fakti që kombinohet në mënyrë perfekte me modele flokësh me volum, të frymëzuara nga supermodelet e viteve ’90. Këto modele janë rikthyer fuqishëm në trend dhe sjellin një ndjesi elegance dhe glamuri, madje edhe në paraqitjet e përditshme.
Në përgjithësi, “nektar bionde” nuk është vetëm një trend sezonal, por një zgjedhje që i jep freski pamjes, ndriçon fytyrën dhe krijon një efekt rinor, duke e bërë një nga ngjyrat më të kërkuara të momentit. /Telegrafi/