Kapiteni i kombëtares zvicerane, Granit Xhaka, po aktivizohet në Ligën Premier që nga vera. Ai u transferua te Sunderland rreth gjashtë muaj më parë dhe me skuadrën e sapongjitur në elitë po bën jehonë të madhe në futbollin britanik.
Në një intervistë për “Suddeutsche Zeitung”, 33-vjeçari ka folur për transferimin, futbollin dhe jetën e tij.
“Kam ndjesinë se unë dhe njerëzit këtu jemi rritur në mënyrë të ngjashme: shumë tokë-këmbë, punëtorë dhe me një vullnet të fortë për të arritur diçka”.
“Prindërit e mi dikur erdhën në Basel me prejardhje shqiptare – pa gjuhë, pa miq, pa të afërm”.
Xhaka ka rrëfyer edhe për ambientin ku është rritur.
“Lagjja jonë kishte arkitektë dhe këshilltarë tatimorë, por edhe alkoolistë dhe përdorues droge. Gjithçka mund të kishte shkuar në çdo drejtim për mua. Kam përfituar nga edukimi i prindërve të mi – dhe nga vëllai im i madh, Taulanti”.
Sa i përket transferimit te Sunderland, mesfushori ka qenë shumë i hapur.
“Disa vendime kërkojnë kohë, por këtë e mora menjëherë”.
Xhaka ka zbuluar se pronari e telefonoi diku në muajin qershor, rreth orës 23:00.
“Në Shqipëri thonë se një telefonatë në atë orë do të thotë ose diçka e keqe – ose diçka shumë e madhe. Në fillim mendova se ishte shaka dhe nuk besoja se ishte pronari”.
“Çelësi ishte se pronari nuk më kishte kontaktuar personalisht në asnjë nga transferimet e mia të mëparshme. Kjo më bëri shumë përshtypje”.
Kyril Louis-Dreyfus, në moshën 28-vjeçare kryetari më i ri i ligës, ishte i vendosur ta sillte Xhakën në Sunderland.
“Unë jam një lojtar që ka nevojë për vlerësim dhe ai ma dha këtë ndjenjë”.
Që nga ardhja te Sunderland, Granit Xhaka ka qenë një sukses i madh. Ai konsiderohet ndër lojtarët më të mirë të ligës, është boshti i skuadrës dhe një nga arsyet kryesore për sezonin fantastik që po zhvillon ekipi deri më tani.
“Para së gjithash, duam të sigurojmë qëndrimin në ligë; gjithçka tjetër është bonus. Deri tani nuk e kemi diskutuar asnjëherë renditjen në dhomat e zhveshjes. E di nga përvoja se gjysma e dytë e sezonit mund të jetë e vështirë. Kemi potencial dhe duhet të vazhdojmë të besojmë te vetja – atëherë mund të kemi një sezon të suksesshëm”.
“Për sa kohë jam i shëndetshëm, në formë dhe i uritur. Shumë trajnerë më kanë këshilluar: luaj sa më gjatë të jetë e mundur. Gjithçka tjetër mund të bëhet më vonë”.
Sa i përket së ardhmes pas futbollit, gjithçka mbetet e hapur, por Xhaka ka zbuluar se po investon seriozisht edhe në një karrierë të mundshme si trajner.
“Katër ose pesë vjet më parë, kur isha te Arsenali, fillova të punoja për licencën e trajnerit. Tani e kam licencën A. Kjo më ndihmon – bashkë me moshën dhe përvojën – ta shoh futbollin nga një këndvështrim tjetër. Tani dua t’i bëj lojtarët e tjerë më të mirë: përmes paraqitjeve, motivimit dhe lidershipit”./Telegrafi