Futbollisti kosovar, Muhamed Dubova, i cili aktualisht aktivizohet në Ligën e Parë të Kosovës me klubin Ramiz Sadiku, ka dhënë një intervistë për Telegrafin, ku ka folur për rrugëtimin e tij në futboll, përvojën ndërkombëtare dhe dallimet mes futbollit kosovar dhe atij sllovak.
Kombëtarja e Kosovës e pret një sfidë vendimtare këtë të enjte, ku do të përballet me Sllovakinë në Bratislavë nga ora 21:00, me synimin e qartë për fitore dhe kualifikim në finalen e playoff-it për Kupën e Botës.
Nga të paktët lojtar që kanë një lidhje mes futbollit të Kosovës dhe atij të Sllovakisë është sulmuesi gjilanas, Muhamed Dubova, i cili ka folur për kohn e tij në Sllovaki dhe përballjen e së enjtes mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Sllovakisë.
Dubova tregoi se transferimi i tij në Sllovaki te skuadra Dubnica erdhi pas paraqitjeve të mira me Gjilanin, në një periudhë kur konkurrenca në ekip ishte shumë e madhe.
“Në atë kohë isha në Gjilan, ku klubi kishte një ekip shumë të fortë dhe kushte shumë të mira pune, me futbollistë cilësorë si Progni, Dabiqaj, Çyrbja, Torasa dhe shumë të tjerë. Ekipi drejtohej nga trajneri Ismet Munishi, i cili filloi të më besonte, pavarësisht konkurrencës së madhe dhe emrave të njohur në skuadër”.
“Pas disa paraqitjeve të mira dhe një goli të shënuar, arrita të bie në sy të një menaxheri, i cili më mundësoi transferimin direkt te FK Dubnica, një ekip që garonte në ligën e parë të Sllovakisë dhe ka një histori të madhe”, ka thënë fillimisht Dubova për Telegrafin.
Ai foli edhe për pritjen që pati në Sllovaki, duke theksuar se nuk ishte nga më të mirat për shkak të paragjykimeve.
“Pritja nuk ka qenë nga më të mirat. Ka pasur mjaft qëndrime raciste ndaj shtetit të Kosovës. Në disa raste, gjatë transmetimeve, komentatori më është drejtuar si ‘lojtari nga regjioni i Kosovës’. Megjithatë, duhet theksuar se lojtarët, stafi dhe vetë klubi kanë qenë korrektë ndaj meje. Problemi ka qenë më shumë te rrethi i sportdashësve të futbollit sllovak”, shtoi sulmuesi.
Sa i përket dallimeve në aspektin sportiv, Dubova vlerëson nivelin e futbollit sllovak dhe atë kosovar.
“Futbolli sllovak, sipas mendimit tim, është në një nivel më të lartë se futbolli kosovar, sidomos për shkak të infrastrukturës shumë më të zhvilluar dhe faktit që luhet një futboll më fizik. Megjithatë, për nga cilësia, besoj se ne jemi në një nivel më të lartë”.
Në fund, ai u shpreh optimist për Kombëtaren e Kosovës në përballjen ndaj Sllovakisë.
“Besoj që kombëtarja jonë ka shumë gjasa të kualifikohet, pasi ka më shumë cilësi se ekipi kundërshtar. Gjithashtu, disponon individë të fortë dhe teknikë, si dhe lojtarë të rinj që janë në zhvillim të vazhdueshëm dhe po rriten shumë”, përfundoi Dubova për Telegrafin.
Me këtë përvojë të vlefshme brenda dhe jashtë vendit, Muhamed Dubova vazhdon të jetë një nga futbollistët që synon ngritje të mëtejme në karrierën e tij. /Telegrafi/