Drejtoresha ekzekutive e STIKK, Vjollca Çavolli, ka folur për rrugëtimin e saj në sektorin e teknologjisë së informacionit, zhvillimin e industrisë së IT-së në Kosovë dhe sfidat që gratë përballen në këtë fushë.
Në podcastin më të ri në Telegrafi, “Rrugëtimi” me redaktoren Jehona Hulaj, ajo rrëfeu se interesimi për teknologjinë daton që nga fundi i viteve ’70, kur në Kosovë u hap për herë të parë drejtimi për teknologji të informacionit.
“Kam pas dëshirë me qenë programerja e parë femër në Kosovë”, tha ajo, duke shtuar se rrethanat historike ia ndërprenë atë rrugëtim, por jo misionin.
“Nëse nuk ke pas mundësi me qenë programierja e parë femër në Kosovë, së paku me qenë ajo që ua mundëson tjerave me qenë programere”, u shpreh Çavolli.
Duke folur për sfidat gjatë karrierës, Çavolli theksoi se për gratë shpesh rruga është më e vështirë, veçanërisht në ambiente ku dominon mentaliteti tradicional.
“Si grua është gjithmonë pak ma e vështirë… ndonjëherë duhet me bo një punë dyfish ma tepër për me qenë e vlerësuar dhe me marrë merita për atë punë”, deklaroi ajo.
Megjithatë, sipas saj sektori i IT-së në Kosovë ka qenë ndër sektorët më të hapur për përfshirjen e grave dhe e ka pranuar mirë kontributin e tyre.
Ajo tregoi se gjatë përfaqësimit të Kosovës në ngjarje të ndryshme ndërkombëtare shpeshherë ka qenë gruaja e vetme në mesin e shumë burrave, por kjo për të ka qenë edhe motiv shtesë për të dëshmuar se gratë mund të jenë po aq të suksesshme në këtë fushë.
Duke sqaruar rolin e STIKK, Çavolli tha se kjo organizatë funksionon si një lloj ode ekonomike për kompanitë e IT-së në Kosovë, duke u marrë me avokim dhe lobim për krijimin e kushteve më të mira për biznes.
– YouTube www.youtube.com
Ajo përmendi edhe konferencën vjetore KOSICT, e cila mbledh mbi 3 mijë pjesëmarrës dhe më shumë se 50 folës ndërkombëtarë.
Sipas saj, një nga kontributet kryesore të këtij sektori është edhe promovimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, përmes konferencave dhe aktiviteteve që sjellin në vend ekspertë dhe kompani nga e gjithë bota.
“E kemi një imazh shumë negativ nëpër botë dhe ne me çdo forcë duhet ta ndërtojmë një imazh pozitiv për Kosovën. Kjo është një prej mënyrave tona modeste për me ndërru imazhin”, u shpreh Çavolli.
Sipas Çavollit, sektori i IT-së është një nga sektorët më progresivë në vend dhe pothuajse i vetmi me bilanc pozitiv tregtar.
“Ne eksportojmë pesë herë ma shumë sesa importojmë në këtë sektor dhe e balancojmë disi deficitin tregtar”, theksoi ajo.
Madje, ajo është e bindur për rolin kyç të teknologjisë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Unë jam e bindur që IT-ja është motori ekonomik i këtij vendi… zhvillimi i rinisë në aspektin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është rruga më e mirë për të ardhmen”, tha Çavolli.
Duke folur për përfshirjen e grave në këtë sektor, ajo theksoi se pjesëmarrja e tyre në Kosovë është mbi 35%, që sipas saj është më e lartë se mesatarja në Evropë dhe rajon.
“Ky është sektor që ka diskriminim pozitiv ndaj grave”, tha ajo, duke shtuar se shumë kompani madje preferojnë të punësojnë gra për shkak të përkushtimit dhe stabilitetit të tyre në punë.
Kur u pyet se çfarë duhet të ndryshojë në mentalitetin e shoqërisë, ajo u përgjigj shkurt: “Unë nuk i kisha ndërru gratë. Burrat duhet me i ndërru. Gratë janë ato që janë – ia jep hapësirën dhe ajo e kryen punën”.
Çavolli kritikoi edhe mungesën e një “dore të zgjatur” të qeverisë për ta mbështetur sektorin, duke theksuar nevojën për mbështetje për startup-e dhe përfshirje të kodimit në kurrikulat shkollore që nga klasa e parë.
Ajo foli edhe për zhvillimet teknologjike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, duke theksuar se kjo teknologji duhet të shfrytëzohet dhe jo të shihet me frikë.
Sipas saj, frika nga AI është e pabazë dhe e ngjashme me frikën që dikur ekzistonte ndaj internetit apo teknologjive të reja.
“Nuk duhet me u frigu prej çdo gjëje që është e re. Duhet me testu vazhdimisht dhe me pas një mendim kritik”, deklaroi Çavolli.
Në fund të bisedës, ajo pati një mesazh për vajzat e reja që janë në dilemë nëse duhet të ndjekin një karrierë në teknologji.
“Nëse ka veç pak afinitet… duhet me qenë pjesë e këtij sektori, sepse është pjesë e zhvillimeve”, përfundoi ajo.
Ky podcast do të publikohet një herë në muaj në të gjitha platformat e Telegrafi.com/Telegrafi/