Komuna e Prishtinës ka bërë të ditur se prej disa muajsh kryeqyteti ka filluar një proces të strukturuar pune dhe koordinimi me të gjithë përfaqësuesit e komuniteteve fetare në kryeqytet, me qëllim inicimin e projektit për rregullimin dhe zhvillimin e Varrezave të Kryeqytetit si hapësirë e përbashkët qytetare.
Në njoftim bëhet e ditur se deklarata e përbashkët për Projektin e Varrezave të Kryeqytetit, e cila u nënshkrua nga përfaqësuesit fetarë në Kryeqytet, përbën një hap historik drejt ndërtimit të një modeli të ri, të barabartë dhe institucional të organizimit të shërbimeve të varrimit në Kryeqytet.
Deklarata u nënshkrua nga Hetem Sopjani, Kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Agim Qerkini, Famullitar në Famullinë e Prishtinës, dhe Pastor Driton Krasniqi nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës.
Komuna njofton se kjo deklaratë pasqyron pajtimin dhe vullnetin e përbashkët të palëve për të kontribuar në zhvillimin e një modeli që:
garanton funksionimin e varrezave si hapësirë publike në shërbim të të gjithë banorëve dhe rezidentëve të Prishtinës, pa dallim;
siguron respektimin e riteve dhe praktikave fetare sipas traditave përkatëse;
garanton administrim profesional, institucional dhe në përputhje me standardet e dinjitetit dhe respektit publik.
“Procesi i deritanishëm është karakterizuar nga dialog i hapur, bashkëpunim konstruktiv dhe mirëkuptim ndërmjet Kryeqyteti Prishtina dhe komuniteteve fetare, duke reflektuar frymën e bashkëjetesës dhe respektit që e karakterizon Kryeqytetin, për çka jemi krenarë dhe shumë mirënjohës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/