Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe rëndësinë e stabilitetit institucional.
Sipas njoftimit nga Presidenca, gjatë takimit presidentja Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që United Kingdom i ka dhënë Kosovës ndër vite.
“Presidentja shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën dhe popullin tonë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Ajo theksoi gjithashtu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe për hapjen e kapitujve të rinj të partneritetit.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të hapur kapituj të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta”, thuhet më tej në komunikatë.
Ndërkohë, ambasadori britanik Hargreaves theksoi rëndësinë e stabilitetit politik në vend në këtë periudhë.
“Sot bisedova me Presidenten Osmani për nevojën urgjente që Kosova t’i rikthehet stabilitetit politik për të mundësuar përparim në agjendat e brendshme dhe ndërkombëtare. Në këtë kohë pasigurie politike, diskutimi i respektueshëm dhe konstruktiv është thelbësor për të gjetur rrugën përpara”, ka shkruar ai.
Gjatë takimit u diskutua edhe për rëndësinë e ruajtjes së një mjedisi demokratik në Kosovë, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme.
Në këtë kontekst u theksua se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik. /Telegrafi/