Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, tha se Teherani është i përgatitur të përballet me një pushtim të mundshëm tokësor të SHBA-së, duke përdorur një ton sfidues ndërsa konflikti me Uashingtonin dhe Izraelin thellohet.
I pyetur në një intervistë video me NBC News të enjten nëse kishte frikë nga një pushtim i mundshëm nga Shtetet e Bashkuara, Araghchi tha se Irani ishte gati, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Jo, ne po i presim ata”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se Teherani është i bindur se mund të përballet me forcat amerikane dhe se një veprim i tillë do të bëhej “një katastrofë e madhe” për Uashingtonin.
Komentet vijnë pasi sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit filluan më 28 shkurt, sulme që autoritetet iraniane thonë se vranë Udhëheqësin Suprem Ali Khamenei dhe disa zyrtarë të lartë të sigurisë.
Dhe pavarësisht konfliktit në rritje, Araghchi tha se Irani nuk ka kërkuar një armëpushim.
Ai vuri në dukje luftën e shkurtër me Izraelin vitin e kaluar, duke thënë se Teherani nuk kërkoi as atëherë një armëpushim.
“Në kohën e mëparshme, ishte Izraeli ai që kërkoi një armëpushim”, tha ai, duke iu referuar një konflikti 12-ditor në të cilin forcat izraelite dhe amerikane shënjestruan objektet bërthamore iraniane.
Araghchi argumentoi se objektivi i Iranit në përballjen aktuale është thjesht t’i rezistojë asaj që ai e përshkroi si veprime të paligjshme kundër vendit.
“Nuk ka fitues në këtë luftë”, tha ai. “Fitorja jonë është të jemi në gjendje të rezistojmë”. /Telegrafi/