Gati të gjitha automjetet e reja që u regjistruan vitin e kaluar në Norvegji ishin plotësisht elektrike, sipas të dhënave zyrtare të publikuara të premten – një tregues i qartë se kjo vend europian është në krye të tranzicionit drejt heqjes dorë nga makinat me motor me benzinë dhe naftë.
Pavarësisht se Norvegjia është një prodhues i madh i naftës, ajo ka shënuar një kalim të shpejtë drejt automjeteve me bateri, në kontrast me pjesën tjetër të Evropës. Për shkak të kërkesës më të ulët në Bashkimin Evropian, Brukseli së fundmi hoqi planin për të ndaluar automjetet me motor me djegie të brendshme deri në vitin 2035.
Sipas Federatës Norvegjeze të Transportit Rrugor (OFV), 95,9 për qind e automjeteve të reja të regjistruara gjatë vitit 2025 ishin elektrike – një rritje nga 88,9 për qind në vitin 2024. Vetëm në dhjetor 2025, automjetet elektrike përbënin 98 për qind të të gjitha veturave të shitura në vend. Në total, 179.549 automjete të reja u regjistruan në vend, një rritje prej 40 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm.
Marka më e shitur për pesë vitet e fundit mbetet Tesla, me një pjesë rreth 19,1 për qind të tregut, e ndjekur nga Volkswagen dhe Volvo. Automjetet e prodhuara në Kinë gjithashtu rritën pjesën e tyre në treg, me kompaninë BYD që gati dyfishoi numrin e makinave të dorëzuara në Norvegji.
Qeveria norvegjeze ka vendosur masa tatimore që nxisin blerjen e automjeteve elektrike, ndërkohë që automjetet e vogla elektrike nën një shumë të caktuar parash nuk paguajnë TVSH, një politikë që parashikohet të vazhdojë gjatë vitit 2026 – gjë që mund të nxisë edhe më shumë shitjen e makinave të vogla elektrike. /Telegrafi/