Arsenali është shfaqur si një pretendent serioz për kapitenin e Crystal Palace, Marc Guehi, duke e komplikuar edhe më shumë përpjekjen e Manchester Cityt për ta transferuar qendërmbrojtësin e shumëkërkuar gjatë afatit kalimtar të janarit.
Man City pritet të jetë sërish aktiv këtë muaj. Skuadra e Pep Guardiolës vazhdon të jetë në garë në të katër kompeticionet, por synon përforcime shkaku se ka humbur disa yje si pasojë e lëndimeve.
Josko Gvardiol është detyruar të qëndrojë jashtë për një periudhë të pacaktuar pasi pësoi një lëndim në kockën e këmbës, e cila kërkoi ndërhyrje kirurgjikale.
Edhe Ruben Dias u lëndua në të njëjtën ndeshje ndaj Chelseat dhe pritet të mungojë nga katër deri në gjashtë javë për shkak të një problemi muskulor.
Këto zhvillime të pafavorshme e kanë shtyrë Cityn të rrisë interesimin për një transferim të Guehit në janar, sidomos duke pasur parasysh se kontrata e tij me Crystal Palace skadon pas vetëm gjashtë muajsh. Kjo situatë ka bërë që edhe klubet e tjera të interesuara të rishfaqen fuqishëm në garë.
Interesimi afatgjatë i Arsenalit për ndërkombëtarin anglez raportohet se mbetet shumë aktiv. Liderët aktualë të Liga Premier e shohin Guehin si një opsion për repartin defensiv për verën e ardhshme, ndonëse ende nuk ka qartësi për afatin kohor të një lëvizjeje të mundshme.
Trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, ka pranuar se klubi do të detyrohet të pranojë një ofertë të përshtatshme për kapitenin e tij këtë muaj.
Në garë mbetet edhe Liverpooli, i cili ishte shumë pranë transferimit të Guehit verën e kaluar. Megjithatë, “The Reds” duket se do të presin deri në korrik për t’iu afruar lojtarit si lojtar i lirë.
Ndërkohë, edhe Atletico Madridi, Bayern Munich dhe Barcelona po monitorojnë situatën për një lëvizje në fund të sezonit./Telegrafi