Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve në rastin penal për falsifikim të rezultateve të votimit, duke ndërprerë masën e paraburgimit për nëntë persona.
Sipas aktgjykimit Pml.nr.105/2026, Gjykata Supreme ka ndryshuar vendimet e Gjykatës Themelore në Prizren dhe Gjykatës së Apelit të Kosovës, të cilat kishin caktuar dhe vërtetuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurve B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G. dhe I.P. Të pandehurit janë liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri.
Po ashtu, me aktgjykimin Pml.nr.95/2026, Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit H.P., duke i ndërprerë edhe atij masën e paraburgimit për veprën penale të falsifikimit të rezultatit të votimit dhe duke e liruar për t’u mbrojtur në liri.
Gjykata Supreme ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerjen e masës së paraburgimit, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimit të ligjshmërisë dhe të drejtave procedurale të të pandehurve. /Telegrafi/