NBA ka ndëshkuar Utah Jazz me 500,000 euro dhe Indiana Pacers me 100,000 euro për vendime të “pabesueshme” të lëvizjes së lojtarëve të shëndetshëm gjatë ndeshjeve të fundit të sezonit.
“Veprime të tilla, që vendosin prioritetin tek drafti mbi fitoren, minojnë integritetin e NBA-së. Ne do të reagojmë ndaj çdo veprimi të mëtejshëm që cenon konkurrencën tonë”, ka thënë tha komisioneri i NBA-së, Adam Silver.
Mes lojtarëve që nuk morën pjesë pavarësisht shëndetit të tyre është edhe Jusuf Nurkic, i cili mungoi në tre nga gjashtë ndeshjet e fundit të Jazz-it.
Edhe Lauri Markkanen nuk luajti në dy nga tetë ndeshjet e fundit, ndërsa NBA-ja përmendi veçanërisht ndeshjet ndaj Orlando Magic më 7 shkurt dhe Miami Heat më 9 shkurt, ku Utah luajti me formacionin kryesor, por Markkanen dhe Jaren Jackson Jr. nuk ishin në parket gjatë çerekut të fundit.
Trajneri i Jazz, Will Hardy, deklaroi: “E vendosa Laurin në stol për shkak të limitimit të minutave nga stafi mjekësor. Nëse stafi vendos kufizim minutash, unë përpiqem ta mbaj Laurin të shëndetshëm”.
Indiana u gjobit për 100,000 euro pasi nuk aktivizoi Pascal Siakam dhe dy starterë të tjerë në ndeshjen kundër Utah më 3 shkurt, e cila përfundoi me humbje 131-122.
Të dy ekipet, Pacers (15-40) dhe Jazz (18-38), janë mes gjashtë ekipeve më të dobëta në ligë dhe duket se po tentojnë të humbasin ndeshje.
Utah ka një arsye shtesë për këtë strategji, pasi zgjedhja e tyre e raundit të parë në draft është e mbrojtur në tetë pozicionet e para.
Nëse ekipi përfundon jashtë këtyre pozitave, zgjedhja do t’i kalojë Oklahoma City Thunder.
NBA ka prezantuar në 2023 “Politikën e Pjesëmarrjes së Lojtarëve” për të frenuar klubet që mund të humbasin me qëllim.
Këtë vit kjo temë ka marrë vëmendje të madhe, pasi klasa e draftit 2026 konsiderohet shumë e fortë, me kandidatët kryesorë për zgjedhjen e parë: Darryn Peterson, AJ Dybants dhe Cameron Boozer.
Kujtojmë se Jazz u gjobit edhe sezonin e kaluar me 100,000 euro për mungesat e Markkanen në disa ndeshje. /Telegrafi/