Shefja e Grupit parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci sot në një konferencë për media tha se kanë bërë gjithë çfarë ka qenë në dorën e tyre për të shmangur edhe një palë zgjedhje.
Nagavci theksoi se rezultati zgjedhor ka qenë i qartë dhe se nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë arsye që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
“Duhet ta bëjmë të qartë për qytetarët se ne kemi qenë të vetëdijshëm që ka shumë palë dhe grupe të interesit të cilave u ka penguar mbështetja e madhe e qytetarëve për Lëvizjen Vetëvendosjen dhe kryeministrin Kurti. Gjithsesi ne kemi bërë gjithë çfarë ka qenë në dorën tonë për të shmangur edhe një palë zgjedhje”, tha ajo, duke përmendur takimet me kryetarët e partive opozitare.
Tutje, Nagavci tregoi edhe rrjedhjen e takimeve me partitë opozitare për postin e presidentit.
“PDK insistonte se posti i presidentit u takon atyre ndonëse kishin vetëm 22 vota në Kuvend. Kur u pyetën për emrin e kandidatit kanë refuzuar që ta bëjnë publik, duke kërkuar një nënshkrim blanko për një emër që do ta vendosnin më vonë.
Nga ana tjetër, edhe PDK, edhe LDK kanë refuzuar të propozojnë një kandidat të tyre edhe pse LVV u ka ofruar nënshkrimet e mjaftueshme për kandidim.
Edhe presidentja Osmani nuk i pranoi nënshkrimet e LVV-së, duke kërkuar që kandidatura e saj të ndodhte vetëm me garantim të rezultatit dhe votave të deputetëve tanë”, tha ajo. /Telegrafi/