Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësim të thellë për, siç thuhet, papërgjegjësinë dhe mungesën e seriozitetit të Qeverisë në përballje me krizën ekonomike që po prek qytetarët.
Përmes një komunikate për media, PDK ka deklaruar se gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për rritjen e çmimeve të naftës dhe inflacionin, kryeministri, ministrat dhe deputetët e shumicës parlamentare kanë munguar për një pjesë të konsiderueshme të saj.
Sipas kësaj partie, çmimi i naftës në vend ka arritur në 2 euro e 3 cent, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve bazë. Në vend të reagimit të shpejtë institucional, PDK vlerëson se qytetarët po përballen me mungesë veprimi.
Në reagim thuhet gjithashtu se edhe pas rikthimit në seancë, kryeministri Albin Kurti nuk ka ofruar zgjidhje konkrete, por është fokusuar në, siç pretendohet, “lojëra fjalësh dhe interesa partiake”.
PDK e cilëson këtë qasje të Qeverisë si të papranueshme dhe të dëmshme për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit. Për këtë arsye, ajo i ka bërë thirrje institucioneve që urgjentisht të hartojnë dhe zbatojnë një pako emergjente për përballimin e krizës, me masa konkrete për mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve.