Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka reaguar pas sulmit ndaj Irani, gjersa thekson se Kosova qëndron krah presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global.
Në deklaratën e MPJD-së thuhet se regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.
Lexoni të plotë deklaratën e MPJD-së:
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran, një regjim që për dekada ka shtypur popullin e vet, ka destabilizuar rajonin dhe ka kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
Ne qëndrojmë krah Presidentit Donald Trump në përpjekjen për të frenuar regjimet që kërcënojnë popujt e lirë, për të mbrojtur stabilitetin global dhe për të mbështetur aspiratat legjitime të popullit iranian për liri, dinjitet dhe demokraci.
Regjimet që shtypin qytetarët e tyre, që mbështesin dhunën ndaj vendeve demokratike dhe që kërcënojnë popuj të tjerë, nuk mund të jenë faktor paqeje.
Liria, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë vlera universale që meritojnë mbrojtje të palëkundur.
Qëndrojmë të vendosur kundër regjimit iranian dhe në mbështetje të Presidentit Trump, duke u solidarizuar me popullin iranian për një të ardhme të lirë dhe demokratike. /Telegrafi/