Policia e Kosovës ka njoftuar se, bazuar në informacione zyrtare nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në këtë shtet ka filluar monitorimi i komunikacionit rrugor me kamera inteligjente.
Sistemi përdor pajisje teknike dhe kamera të avancuara që evidentojnë automatikisht shkeljet e rregullave të trafikut, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për automjetet me targa të huaja, përfshirë ato të Kosovës, në rast të shkeljeve të konstatuara, pronari i automjetit njoftohet gjatë hyrjes dhe daljes nga vendi.
Në fazën e parë, monitorimi do të zbatohet në qytetet Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë Korridorëve 8 dhe 10. Shkeljet që do të regjistrohen përfshijnë: tejkalim të shpejtësisë, kalim në semafor të kuq, ndalim dhe parkim të parregullt, si dhe qarkullim me automjete të paregjistruara.
Policia njofton se qytetarët e huaj kanë të drejtën të përfitojnë zbritjen 50% të gjobës brenda tetë ditësh nga data e konstatuar. Në rast mospagesë ose mosmarrëveshjeje mbi shkeljen, do të iniciohet procedurë kundërvajtëse përpara gjykatës kompetente.
Ky njoftim u drejtohet qytetarëve si një paralajmërim për kujdes dhe respektim të rregullave të komunikacionit gjatë udhëtimeve dhe qëndrimit në Maqedoninë e Veriut.