Avokati Luka Mishetiq tha se për klientin e tij, Hashim Thaçin, nuk ka pasur prova që e lidhin atë me komunikatat apo deklaratat publike të UÇK-së.
Megjithatë, ai tha se janë dy prova që e bëjnë një gjë të tillë e që njëra është një deklaratë e Rexhep Selimit për Prokurorinë lidhur me komunikatën 59, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“ZPS-ja arrin të citojë vetëm dy prova për të mbështetur pretendimin e tyre se Hashim Thaçi ka pasur rol në përgatitjen e komunikatave. E para; është një intervistë që ka dhënë Rexhep Selimi për ZPS-në ku ai pretendon se Hashim Thaçi ka pasur njëfarë lidhje me komunikatën 59. Pretendimet e Selimit nuk mund të merren parasysh për shumë arsye”, tha Mishetiq.
Madje, Mishetiq tha se për Prokurorinë, Selimi ka thënë që nuk ka pasur dijeni se kush i hartonte komunikatat e UÇK-së.
“Thjesht ka hamendësuar. Dhe mbi të gjitha pretendimet e tij për komunikatën 59 janë të pakonfirmuara dhe Thaçi nuk ka pasur asnjë mundësi që të kontestojë dëshminë e zotit Selimi kur janë bërë kundërpyetjet në lidhje me këtë”, tha ai.
Rrjedhimisht, Mishetiq tha se sipas rregullave, trupi gjykues nuk duhet ta përdorë këtë provë kundër Thaçit.
Në dosjen e tij përfundimtare, Selimi sipas Mishetiqit, ka pranuar se nuk ka pasur dijeni se kush i ka hartuar komunikatat dhe thjesht ka spekuluar në intervistën për ZPS-në.
Ndërsa, prova e dytë, sipas Mishetiq, që lidhet me këtë pjesë është një pjesë e librit të shkruar nga Nuhi Bytyqi.
Mishetiq: Thaçi s’i kontrollonte deklaratat publike të UÇK-së
(Përditësuar, ora 12:20)- Luka Mishetiq, avokati i cili përfaqëson Hashim Thaçin tha se gjatë periudhës së luftës, i mbrojturi i tij nuk i kontrollonte deklaratat publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Thaçi nuk kontrollonte deklaratat publike të UÇK-së”, tha ai, duke përmendur një dëshmi të një dëshmitari i cili kishte thënë se ndonëse Thaçi i kishte thënë të mos fliste me medie, ai e kishte bërë një gjë të tillë.
“Kjo tregon se Thaçi nuk mund ta kontrollonte se çfarë bënin ushtarët e UÇK-së në terren”, tha tutje avokati, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ai shtoi se s’ka asnjë informacion që Thaçi të ketë mbikëqyrur shpërndarjen e informacioneve publike.
“Në veçanti ZPS nuk ka vërtetuar më tej përtej dyshimit të arsyeshëm se Hashim Thaçi ka pasur ndonjë përfshirje në përgatitjen e komunikatave, deklaratave publike. Asnjë dëshmitarë nuk ka dhënë dëshmi në lidhje me këtë. Asnjë prej librave të shumtë, dorëshkrimeve, shënimeve artikujve në gazeta apo dokumente të tjera nuk përmbajnë qoftë prova dytësore lidhur me faktin që Hashim Thaçi të ketë hartuar komunikatat ose deklaratat politike”, tha Luka Mishetiq gjatë deklaratës së tij përmbyllëse në këtë rast gjyqësor.
Megjithatë, ai shtoi se janë vetëm dy prova që e implikojnë Thaçin në këtë çështje.
Përpara kësaj, Mishetiq tha se Prokuroria nuk ka vërtetuar se Thaçi ka qenë drejtues i Drejtorisë Politike përpara nëntorit të 1998-ës.
“ZPS-ja nuk ka vërtetuar se përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi ka qenë drejtues i Drejtorisë Politike apo të informimit përpara nëntorit 1998 kur u bë edhe kreu i Drejtorisë Politike. Ka prova që Thaçi ka qenë i përfshirë në marrëdhënie me publikun dhe media përpara nëntorit të ’98-ës por Prokuroria nuk e jep asnjë provë të besueshme që ai ka qenë drejtuesi apo kreu i ndonjë drejtorie të caktuar në UÇK qoftë politike apo e informimit, dhe nuk ka asnjë provë që Thaçi të ketë kontrolluar apo të ketë mbikëqyrur se çfarë thonin apo publikonin të tjerët në UÇK”, tha Mishetiq.
Ndonëse Prokuroria e kishte qujatur Qeverinë e Përkohshme të Kosovës si mekanizëm për ta zgjeruar ndikimin në Kosovë. Mishetiq argumentoi se ky institucion është krijuar gjatë bisedimeve dhe dakordimeve mes delegacionit shqiptar, ndërkohë sa Thaçi ishin në Rambuje. Ndërsa, në atë, ka qenë e paraparë edhe pjesëmarrja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, të cilët u tërhoqën nga pjesëmarrja. /Betimi për Drejtësi/