Afati i fundit kalimtar i dimrit nxori në pah diferencat e mëdha mes ligave. Liga Premier vazhdon të sundojë tregun, ndërsa La Liga renditet vetëm e teta mes kampionateve që kanë shpenzuar më shumë në janar.
Sipas faqes së specializuar Transfermarkt, afati kalimtar i dimrit tregoi qartë fuqinë ekonomike të ligave të mëdha. Anglia udhëheq bindshëm, Italia dhe Brazili ndjekin pas, ndërsa Spanja mbetet surprizë negative me shpenzime të ulëta.
Liga Premier konfirmoi edhe një herë statusin e saj si liga më e pasur në botë, duke shpenzuar plot 453,17 milionë euro në afatin e dimrit. Klubet angleze vazhdojnë të investojnë agresivisht, pa u ndalur nga konkurrenca apo rregullat financiare.
Pas Anglisë renditet Serie A, me 243,59 milionë euro, duke treguar një rikthim të fortë të klubeve italiane në treg. Menjëherë pas saj vjen Campeonato Brasileiro, që me 201,55 milionë euro dëshmon se Brazili po bëhet gjithnjë e më ndikues edhe në aspektin financiar.
Në vendin e katërt është MLS me 144,28 milionë euro shpenzime, ndërsa Ligue 1 mbyll pesëshen e parë me 105,10 milionë euro. Bundesliga, ndryshe nga vitet e kaluara, mbetet më e rezervuar me 98,95 milionë euro shpenzime.
Surpriza më e madhe negative është La Liga, e cila renditet vetëm e teta me 75,50 milionë euro shpenzime, pas Saudi Pro League (93,08 milionë euro) dhe para Superligës së Turqisë me 70,52 milionë euro dhe asaj të Portugalisë me 59,48 milionë euro.
Këto shifra konfirmojnë një realitet të ri në futbollin global: fuqia ekonomike po zhvendoset gjithnjë e më shumë, ndërsa disa nga ligat tradicionale po humbasin terren në betejën e ‘merkatos’. /Telegrafi/