Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtunën një masë mbrojtëse për çmimin e derivateve të naftës, ndërkohë që çmimet po vazhdojnë të rriten për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari, njoftoi në rrjetin social Facebook se vendimi për vazhdimin e masës së ndërmarrë më 3 mars hyri tashmë në fuqi. Masa synon të vendosë kufij për fitimet maksimale të lejuara në shitjen me shumicë dhe pakicë, duke ndihmuar në kontrollimin e rritjeve të çmimeve, por nuk parandalon rritje të mundshme në varësi të çmimeve të importit.
Nga ana tjetër, Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi ironizoi mbi peshën e shtrenjtimit për qytetarët. Ai tha se për çmimin e regjistruar sot, 1.91 euro për litër, disa udhëheqës politikë “as nuk e kuptojnë” shtrenjtimin, pasi ata udhëtojnë me makina zyrtare “pa lekë”.
“Nafta 1 euro e 91 cent mbase nuk është dhe shumë shtrenjtë. Për shembull, ata me vetura zyrtare as nuk e kuptojnë ose dinë sa kushton, sepse e kanë pa lekë,” shkroi Miftaraj, duke aluduar te kryeministri Albin Kurti, ministrat dhe këshilltarët e qeverisë.
Masat e reja mbrojtëse pritet të ndikojnë në stabilizimin e çmimeve për qytetarët dhe bizneset, por debati mbi efektivitetin e tyre dhe lidhjen e politikës me realitetin ekonomik mbetet i hapur.
Për të parandaluar abuzimet e çmimeve, ish-drejtori i Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, tha muajin e kaluar për Radion Evropa e Lirë se autoritetet duhet të shqyrtojnë vazhdimin e masave mbrojtëse, për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të konsumatorit në kohë krize.
Partia në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e mbështeti të premten një rezolutë të opozitës për uljen e akcizës dhe heqjen e TVSH-së për naftën, duke thënë se kjo nuk do të kishte ndikim të mirë tek qytetarët./Telegrafi.