Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se sot, në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, është takuar me presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, me të cilin kanë biseduar hapur dhe sinqerisht për perspektivën evropiane të Maqedonisë.
“Biseduam hapur dhe sinqerisht për perspektivën evropiane të Maqedonisë, për reformat që po i zbatojmë dhe për sfidat që qëndrojnë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. E përcolla qartë qëndrimin tonë: Maqedonia mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane. Por, njëkohësisht, Maqedonia meriton një proces dinjitoz dhe parimor, të bazuar në vlerat evropiane, e jo në kushte bilaterale”, tha Mickoski në një postim në Facebook.
Kryeministri theksoi se qeveria po punon për reforma thelbësore si sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, stabiliteti ekonomik dhe përmirësimi i standardit jetësor për qytetarët.
“E ardhmja evropiane nuk është vetëm një qëllim politik, ajo është një zgjedhje për një shtet më të mirë. Vazhdojmë të punojmë – me përgjegjësi, ndershmëri dhe me një vizion të qartë për Maqedoninë në Evropë”, shkroi Mickoski pas takimit me Costën.