Italia mund të mos jetë një nga vendet e kërcënuara me tarifa të reja amerikane, por kjo nuk e ka ndaluar kryeministren e saj t’i tregojë Donald Trumpit se çfarë mendon për vendimin e tij.
Giorgia Meloni tha se nuk pajtohet me njoftimin e tarifave të Trumpit dhe se ky veprim ishte një “gabim”.
“Parashikimi i një rritjeje të tarifave kundër atyre kombeve që kanë zgjedhur të kontribuojnë në sigurinë e Grenlandës është një gabim dhe unë nuk pajtohem me të”, tha ajo.
Meloni zbuloi se foli me Trumpin disa orë më parë dhe i tregoi atij se çfarë mendonte për këtë çështje.
“Mendoj se ai ishte i interesuar të dëgjonte, por më duket se nga pikëpamja amerikane, mesazhi që po vinte nga kjo anë e Atlantikut nuk ishte i qartë”, shtoi Meloni.
Ajo nuk e zbuloi reagimin e Trumpit ndaj fjalëve të saj.
Meloni sugjeroi se ka të ngjarë të ketë pasur një “problem mirëkuptimi dhe komunikimi” midis Evropës dhe SHBA-së lidhur me vendimin e disa shteteve evropiane për të vendosur një numër të kufizuar trupash në Grenlandë.
Ky vendim, thekson ajo, nuk duhet të interpretohet si “anti-amerikan”.
Prandaj, “dialogu duhet të rifillojë dhe të shmanget një përshkallëzim”. /Telegrafi/