Mesfushori i Watford, Edoardo Bove, ka rrëfyer historinë e tij të rikthimit në futboll pas arrestit kardiak që pësoi në dhjetor 2024, duke zbuluar edhe lidhjen e fortë me ish-trajnerin e tij, José Mourinho.
Në një intervistë për Daily Mail, Bove tregoi se tekniku portugez ishte ndër të parët që i doli në ndihmë pas incidentit të rëndë. Mesfushori, i cili kishte punuar me Mourinhon te Roma, pësoi kolaps në fushë gjatë një ndeshjeje me Fiorentina kundër Inter.
“Ai kujdeset për çdo lojtar që ka stërvitur. Më shkroi i pari, por nuk mund t’i përgjigjesha askujt, ndaj ai kontaktoi prindërit e mi. Kam një marrëdhënie të pabesueshme me të. Mourinho është shumë i rëndësishëm për mua dhe familjen time”, u shpreh Bove.
Momentet e vështira dhe rikuperimi
23-vjeçari kujtoi momentet e rënda pas incidentit, duke theksuar se nuk kishte asnjë kujtim nga ajo që ndodhi në fushë.
“Gjëja e fundit që mbaj mend është kur rashë në tokë. U zgjova në spital pa e ditur çfarë kishte ndodhur. Mendova se kisha pësuar një aksident. Kishte ditë shumë të vështira kur gjithçka dukej se po shkonte keq”, tregoi ai.
Një kapitull i ri në Angli
Për shkak të rregullave në Itali, që nuk lejojnë lojtarët me defibrilator të luajnë, Bove u detyrua të largohej nga Serie A dhe të vazhdonte karrierën në Angli.
Ai gjeti një mundësi të re te Watford, ku klubi i ka ofruar mbështetje të plotë mjekësore dhe kushte për rikthimin e tij në fushë.
Që nga debutimi i tij më 14 shkurt, Bove ka regjistruar tetë paraqitje dhe tashmë ndihet i sigurt me pajisjen që i monitoron zemrën.
“Kam një mik të ri në trupin tim. Nuk jam zhgënjyer kurrë”, përfundoi ai, duke dëshmuar forcën dhe vendosmërinë për t’u rikthyer në futboll. /Telegrafi./