Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë një jave në rajonin e Gjilanit janë shqiptuar 1 mijë e 827 gjoba për shkelje të rregullave në trafik.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore gjatë periudhës 6 deri më 12 mars 2026 kanë realizuar aktivitete të shumta në kuadër të planeve operative për rritjen e sigurisë në trafikun rrugor.
Gjatë kësaj periudhe janë hetuar edhe 13 aksidente trafiku me dëme materiale dhe 18 aksidente me persona të lënduar.
Po ashtu, policia ka shqiptuar 72 gjoba për mos përdorim të rripit të sigurisë, 32 gjoba për përdorim të telefonit gjatë vozitjes, si dhe 31 gjoba për modifikim të automjeteve, përkatësisht vendosje të folieve të errëta.
Sipas policisë, ndaj 36 ngasësve është shqiptuar masa e ndalimit të drejtimit të mjeteve motorike.
Autoritetet policore bëjnë të ditur se në kuadër të planifikimeve operative të ROADPOL janë duke u zhvilluar kontrolle të shtuara në rrugë, me fokus të veçantë në përdorimin e rripit të sigurisë.
Policia rikujton se në automjetet për udhëtarë dhe mjetet transportuese, shoferi dhe të gjithë personat që ndodhen në automjet janë të obliguar të përdorin rripin e sigurisë.
Sipas legjislacionit në fuqi, për mos vendosjen e rripit të sigurisë gjatë lëvizjes parashihet gjobë prej 150 euro. /Telegrafi/