Policia Rajonale e Ferizajt ka intensifikuar aktivitetet për rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor, duke shqiptuar një numër të konsiderueshëm gjobash dhe duke regjistruar dhjetëra aksidente gjatë javës së kaluar.
Sipas komunikatës për media, gjatë periudhës 2–8 shkurt 2026 janë shqiptuar gjithsej 1.567 gjoba kundërvajtëse, ndërsa 21 patentë shoferë janë pezulluar ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë kryer shkelje të rënda në trafik.
Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar gjithsej 35 aksidente trafiku, prej të cilave 12 aksidente me lëndime, ku janë lënduar 15 persona, si dhe 23 aksidente me dëme materiale.
Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me aktivitete të shtuara parandaluese dhe u ka bërë thirrje të gjithë shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjeteve.
Po ashtu, qytetarët janë ftuar të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë çdo kundërvajtje në trafik përmes stacionit më të afërt policor, aplikacionit digjital Lajmëro policinë dhe numrit kujdestar 192. /Telegrafi/