Kylian Mbappe u pa sërish në fushën stërvitore në Valdebebas, teksa Real Madrid po përgatitet për ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër Manchester City të mërkurën.
Sulmuesi iu bashkua sërish skuadrës pasi përfundoi trajtimin konservativ në Paris javën e kaluar, por ai nuk u stërvit me pjesën tjetër të grupit.
Në vend të kësaj, Mbappe bëri vetëm vrapime të lehta së bashku me trajnerin francez Sebastien Devillez, duke e lënë pjesëmarrjen e tij në ndeshjen e ardhshme ende në dyshim serioz.
Mungesa e tij do të ishte një goditje e madhe për trajnerin Alvaro Arbeloa, i cili po përballet edhe me disa mungesa të tjera. Alvaro Carreras mungoi në stërvitje për shkak të një dëmtimi në muskulin e pulpës së djathtë.
Ndërkohë, ka edhe lajme pozitive për madrilenët, pasi Antonio Rudiger është rikthyer në stërvitje dhe pritet të jetë i disponueshëm për ndeshjen, ndërsa Eduardo Camavinga është rikthyer plotësisht me skuadrën pasi mungoi në ndeshjen e mëparshme.
Real Madridi po e monitoron nga afër rikuperimin e Mbappe, por pavarësisht rikthimit të tij në fushën stërvitore, ai nuk pritet të jetë gati për sfidën kundër Manchester Cityt, përveç nëse ndodh ndonjë përmirësim i papritur në momentet e fundit. /Telegrafi/