Ghislaine Maxwell, ish-bashkëpunëtore e të dënuarit për pedofili Jeffrey Epstein, pasi refuzoi të përgjigjej në pyetje gjatë hetimit të Kongresit amerikan, ka sugjeruar se, nëse presidenti amerikan, Donald Trump do të përfundonte dënimin e saj me burg, ajo do të ishte e gatshme të dëshmonte se as ai, as ish-presidenti Bil Clinton, nuk kishin bërë asgjë të gabuar lidhur me kontaktet e tyre me Epstein.
Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve përpiqej që Maxwell të përgjigjej në pyetje gjatë një video-thirrjeje nga burgu federal në Teksas, ku po vuante një dënim prej 20 vjetësh për trafikim të njerëzve për qëllime seksuale.
Megjithatë, ajo refuzoi duke u mbështetur në Amendamentin e Pestë të Kushtetutës amerikane, për të shmangur pyetjet që mund ta komprometonin, shkruan npr.
Amendamenti i Pestë i Kushtetutës së SHBA ofron mbrojtje kryesore individëve në procedurat gjyqësore, përfshirë krimet e rënda, mbrojtjen nga gjykimi i dyfishtë dhe të drejtën për të mos u vetakuzuar (“e drejtë për heshtje”).
Ajo është përsëri nën vëzhgim nga ligjvënësit që përpiqen të hetojnë se si Epstein, një financues që kishte lidhje me shumë njerëz të pushtetshëm, ka mundur gjatë viteve të abuzojë seksualisht me vajza të mitura. Ligjvënësit përpiqen të identifikojnë të gjithë personat që mund të kenë pasur lidhje me Epsteinin dhe ndoshta e kanë ndihmuar në keqpërdorimin seksual.
Gjatë një dëshmie të mbyllur të hënën, avokati i Maxwell, David Oscar Markus, i tha komitetit se ajo “është e gatshme të flasë plotësisht dhe sinqerisht nëse presidenti Trump i jep amnisti”.
Ai shtoi se edhe Trump, edhe Clinton janë të pafajshëm sa i përket ndonjë veprimi të paligjshëm, por se “vetëm zonja Maxwell mund të shpjegojë pse, dhe publiku ka të drejtë për atë shpjegim”.
Demokratët e kanë vlerësuar këtë si një përpjekje të guximshme të Maxwell për të bërë që Trump të përfundojë dënimin e saj me burg.
Ligjvënësit kanë vlerësuar se gjatë thirrjes ajo u shfaq si një robot dhe nuk duket se ndihet e penduar.
Pyetur për këtë, Shtëpia e Bardhë ka treguar për deklaratat e mëparshme të presidentit, që sugjerojnë se mundësia e amnistisë nuk po shqyrtohet aktualisht.
Një opsion i tillë kundërshtohet edhe nga ligjvënës demokratë edhe republikanë.
Maxwell po përpiqet që dënimi i saj të shpallet i pavlefshëm, duke pretenduar se është dënuar padrejtësisht. /Telegrafi/