Aktorja australiane, Margot Robbie, ka treguar se dhurata më e keqe që ka marrë ndonjëherë gjatë karrierës së saj ishte një libër që i sugjeronte humbje peshe, dhuruar nga një koleg aktor në fillimet e saj.
Rrëfimi u bë gjatë një interviste me këngëtaren Charli XCX për revistën Complex, në kuadër të promovimit të filmit të saj të ri “Wuthering Heights”.
Robbie tha se libri, me titull “French Women Don’t Get Fat”, i la një shije të keqe, pasi mesazhi i tij nënkuptonte se ajo duhej të dobësohej.
Margot Robbie
Aktorja e përshkroi reagimin e saj me humor, duke theksuar se ngjarja kishte ndodhur shumë vite më parë dhe se libri nuk është më në posedimin e saj.
Nga ana tjetër, Charli XCX ndau një përvojë të pazakontë, duke treguar se kishte marrë si dhuratë hirin e nënës së një fansi, të vendosur në një gjerdan.
Gjatë bisedës, dyshja diskutoi edhe për figurat më joshëse të Hollivudit, ku Charli XCX përmendi Jack Nicholson, ndërsa Robbie zgjodhi Montgomery Clift.
Filmi “Wuthering Heights”, i bazuar në veprën klasike të Emily Brontë, është nën regjinë e Emerald Fennell, ndërsa muzika origjinale realizohet nga Charli XCX dhe pritet të shfaqet në kinema më 13 shkurt. /Telegrafi/